Kamberi i ka bërë të gjithë për vete, legjenda e Rejnxhërs nuk i kursen lëvdatat për sulmuesin shqiptar

Florian Kamberi i ka bërë të gjithë për vete në klubin e Rejnxhërs, në të cilin u transferua vetëm në merkaton e janarit nga Hibernian. Megjithatë, koha e shkurtër në dispozicion dhe ndeshjet e pakta, nuk kanë qenë një pengesë për sulmuesin shqiptar i cili ka treguar aftësitë e tij duke marrë komplimente nga trajneri Stiven Xherrard.

Madje, 23-vjeçari “detyroi” me paraqitjet e tij teknikun Xherrard t’i jepte një shans nga minuta e parë në ndeshjen e djeshme të Ligës së Europës, ku Rejnxhërs mori kualifikimin ndaj Bragës. Sulmuesi i kombëtares zhvilloi një ndeshje pozitive, ndërsa së fundmi lëvdatat kanë ardhur edhe nga një legjendë e klubit skocez si Ali Mekoist. “Kamberi bëri një punë të madhe në ndeshjen ndaj Bragës. Ai ia doli të tërhiqte ekipin dhe ishte i dobishëm në krijimin e disa rasteve.

Mendoja se ishte perfekt, por do të më pëlqente të punoja me të në lidhje me pozicionin jashtë loje. Në atë pjesë po në nervozonte sepse ai ka shpejtësinë e duhur në start dhe nuk ka pse të qëndrojë në pozicion jashtë loje”, u shpreh Mekoist. Mekoist ka qenë ish-sulmues i Rejnxhërs teksa ka regjistruar 251 gola me fanellën e klubit legjendar, ndaj edhe fjalët e tij për Kamberin marrin një tjetër kuptim. /Egi Cabeli-VipSport.al/