Haland tregon arsyen përse nuk zgjodhi Junajtid, ka disa fjalë edhe për Raiolën

Erling Haland është një nga të rinjtë më të mirë në qarkullim. Djaloshi ka nisur në mënyrë të vrullshme aventurën e tij te Borusia Dortmund, duke shënuar 8 gola në 5 ndeshje. Statistika të frikshme për një 19-vjeçar, i cili vjen nga kampionati austriak.

Sulmuesi kërkohej me ngulm edhe nga Junajtid, me trajnerin Solskjaer, që e njihte djaloshin, pasi e kishte trajnuar te ekipi i Molde. Megjithatë, ai zgjodhi Dortmundin dhe tregon arsyen e këtij vendimi. Nuk heziton të konsiderojë agjentin e tij, Mino Raiola si më të mirin në botë.

“Solskjaer ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Ai ka qenë një shtysë më shumë për të qenë këtu ku jam sot. Megjithatë, ne arritëm në përfundimin se Dortmundi ishte vendi më i mirë për mua. Unë u ndjeva më mirë këtu dhe kjo ishte arsyeja e vetme e ardhje sime. Unë nuk jam aspak personi, që shkon pas parave dhe më duket komike kur shoh lajme se nuk rashë dakord me Junajtid për shkak të pagës. Raiola është më i miri në atë që bën. Ka shumë që e urrejnë dhe shkaku është suksesi i madh i tij”, u shpreh norvegjezi. /vipsport.al/