E kritikuan për golin e Bylisit, Solomon i përgjigjet tifozëve në rrjetet sociale

Partizani nuk po arrin ta marrë veten plotësisht dhe dalëngadalë Tirana dhe Kukësi po krijojnë një hendek me të kuqtë. Barazimi i fundit me Bylisin i dëmtoi edhe më shumë pozitat e tyre në garën për titullin. Ndeshjen me ballshiotët kryeqytetasit po e dominonin dhe po kryesonin me rezultatin 2-0. Megjithatë, kundërshtarët u kthyen të luajnë fort dhe arritën të barazojnë rezultatin.

Në golin e parë fajtori kryesor ishte Solomon, i cili humbi topin në një zonë të rrezikshme dhe Partizani pësoi golin e parë. Për këtë episod shumë tifozë të të kuqve e kanë kritikuar ashpër, duke ndikuar në gjendjen e tij psikologjike. Gjithsesi, sulmuesi ka zgjedhur t’i përgjigjet tifozëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Ai e krahason veten e tij me farën.

“Ata provuan të më groposnin, por nuk e dinin se isha bërthamë. Nuk mund ta varrosësh një farë. Një bërthamë gjithmonë do të rritet. Rritet edhe më e fortë. Gërmoj brenda dhe jam i vendosur të rritem përmes stuhive dhe baltës. Ju mund të hidhni balët mbi mua, por unë nuk ndalem. Gjithmonë do të kthehem edhe më i fortë, pa e vrarë mendjen çfarë ndodh”, shkruan Solomon. /vipsport.al/