VIDEO / Rrahmani i jashtëzakonshëm edhe në sulm, Verona fiton me përmbysje

Skuadra e Veronës fiton përsëri dhe e sheh veten në pozicion “luksi” në renditjen e Serisë A në këtë pikë të sezonit. Skuadra e Kumbullës dhe Rrahmanit, si zakonisht titullarë, ka mundur sot 2-1 me përmbysje Xhenoan dhe është ngjitur në vendin e 8 në renditje duke kapërcyer skuadra si Napoli e Milan.

Gjithçka ka ardhur falë një loje të mirë përballë Xhenoas edhe pse kjo e fundit gjeti e para golin me anë të Sanabria në fundin e pjesës së parë, pas një prej të paktave gabime në rreshtimin e prapavijës veroneze.

Por në pjesën e dytë të duelit, në prapavijë Verona ishte e pakalueshme dhe filloi të shihte gjithnjë e më shumë nga sulmi, duke barazuar me penalltinë e Verre dhe duke gjetur më pas fitoren me golin e Zakanjit.

Për këtë të dytin, meritën më të madhe e ka Amir Rrahmani, i cili me një galopim mbresëlënës nga gjysmëfusha e vet arriti deri në zonën kundërshtare ku vuri në prove reflekset e Perin. Gardiani grushtoi sferën por e la para katërkëndorit ku Zakanji me shpejtësi e shtyu në rrjetë. Një tjetër konfirmim i aftësive të mbrojtësit të Kosovës, për të cilat Napoli vendo të blinte kartonin e tij duke e prenotuar për sezonin e ardhshëm. /vipsport.al/