VIDEO / Hysaj shkakton penallti dhe vë në siklet të madh gjyqtarin, e shpëton portieri

Elseid Hysaj po arrin të gjejë minuta të mjaftueshme me skuadrën e Napolit që pas ardhjes së Gatuzos. Mbrojtësi shkodran ishte titullar edhe sot kundër Peruxhias në Kupë, ku në limitet e pjesës së parë ka shkaktuar një penallti. Pas krosimit në zonë, Hysaj ka devijuar fillimisht me këmbë dhe më pas topi iu përplas në dorë.

Kjo ka shkaktuar konfuzion të madh te arbitri i cili ka vrapuar në drejtim të sistemit “VAR” por që sërish ka mbetur i paqartë. Ai është kthyer disa herë për të parë pamjet në monitor dhe nuk ka qenë i bindur në vendimin që do të jepte, teksa edhe pas rikthimit në fushë ka kërkuar ndihmë nga asistentët e tij duke komunikuar me anë të kufjeve.

Kështu, në përfundim vendosi të jepte penallti teksa Iemelo e mori përsipër ekzekutimin e saj duke e humbur. Ospina i kuptoi krahun futbollistit dhe e ndali penalltinë, për të mbajtur skuadrën në avantazhin e dy golave në pjesë të parë, ku të dy golat u shënuan nga Insinje me penallti. Rezultati nuk ndryshoi as në pjesën e dytë dhe Napoli me fitoren 2-0 siguroi një vend në çerekfinalen e Kupës së Italisë ku pret fituesen e çiftit Kremoneze-Lacio. /Erjon Allaraj-VipSport.al/