VIDEO / Buzëqeshje për Gurin, me trajnerin e ri e nis si titullar me një asist

Ndryshon përsëri situata e Sindri Gurit në radhët e Ostendes dhe sulmuesi shqiptar ka një tjetër mundësi të artë për të siguruar vazhdimësinë e tij te kjo skuadër. Ajo ishte vënë në diskutim pas pjesës së parë të sezonit jo si protagonist, por me trajnerin e ri, Denis Van Vijk, ai e ka nisur si titullar dhe me paraqitje shumë pozitive.

Në ndeshjen e sotme miqësore ndaj St. Galen, të zhvilluar në Spanjë ku skuadra po kryen fazën përgatitore, Guri e nisi ndeshjen nga minuta e parë. Ai ishte protagonist në aksionin e golit të 1-0 për skuadrën e tij, duke fituar topin në mesfushë, ndërsa në golin e rezultatit të përkohshëm 2-1 për Ostende ai dha pasimin final.

Guri krijoi edhe disa mundësi të tjera për të shënuar dhe në përgjithësi kjo paraqitje e tij në pjesën e parë ishte për t’u vlerësuar shumë pozitivisht, kurse në të dytën i lë vendin lojtarëve të tjerë në fushë, pasi trajneri dëshironte t’i shihte të gjithë në sfidën që përfundoi 3-2 për St. Galen. /vipsport.al/