Talenti shqiptar shpëton nga më e keqja, dëmtohet dhe mungon 1 muaj

Futbolli italian u përball me dy dëmtime të rënda në ndeshjen mes Romës dhe Juventusit, aty ku Zaniolo dhe Demiral këputën ligamentet dhe do të mungojnë për pjesën e mbetur të sezonit dhe me shumë gjasa edhe në Europian. Ndërkohë, një tjetër dëmtim ka ndodhur te Palermo dhe këtë radhë ishte talenti shqiptar, Masimiliano Doda ai që e ka pësuar.

Doda është larguar i dëmtuar në ndeshjen e fundit dhe mediat italiane raportonin se bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë të futbollistit. “VipSport.al” ka kontaktuar vetë me futbollistin, i cili zbulon se ka pësuar një dëmtim të ligamentit të jashtëm, por për fatin e tij të mirë nuk ka këputje.

Fillimisht mendohej një dëmtim i rëndë në menisk ose këputje të ligamentit kruciat por për fat të mirë asnjëra nga këto nuk ka ndodhur pasi do t’i duhej rreth 6 muaj mungesë për t’u rikthyer më pas sezonin tjetër. Me dëmtimin e pësuar, Doda do të mungojë 1 muaj ose maksimumi 1 muaj e gjysmë dhe më pas do të rikthehet sërish në fushë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/