Roma “bllokon” Milanin, hyn në garë për Politanon dhe sulmuesin shqiptar

Dëmtimi i Zaniolos ka bërë që Roma të mendojë për merkaton e janarit seriozisht dhe të kërkojë një pasues të talentit. Zaniolo do të mungojë për 6 muaj duke e mbyllur kështu sezonin dhe mund të llogaritet vetëm për sezonin e ardhshëm prandaj drejtuesit nuk kanë ndër mend të qëndrojnë duarkryq para një fakti të tillë.

Në krye të listës së verdhekuqve janë dy futbollistë. Fillimisht po mendohej për një rikthim në Serinë A dhe drejtuesit shpresojnë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Liverpulin për të transferuar Xherdan Shaqirin. Ky i fundit nuk po gjen hapësira në kampin e të kuqve dhe largimi nga kampionët e Europës do të ishte një zgjedhje ideale duke marrë parasysh faktin se rikthehet në një kampionat që e njeh pasi ka qenë pjesë e Interit.

Megjithatë kjo pistë duket e vështirë dhe prioritet tashmë është futbollisti i Interit, Politano. Anësori i zikaltërve nuk po gjen hapësirat e duhura me Konten që i ka dhënë më shumë besim Kandrevës, teksa një largim nga “San Siro” pritet në janar. Milani i ka ofruar shkëmbim me Kesi, megjithatë Roma ka hyrë në garë seriozisht dhe synon ta marrë duke i ofruar zikaltërve edhe shërbimet e Spinazolës, ish-futbollist i Juventusit sezonin e shkuar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/