“Paguani ose e pësoni si Tirana”, FIFA kërcënon klubet e Superiores

Klubet e Superiores tashmë nuk mund t’i shmangen më detyrimeve që kanë ndaj lojtarëve, të vjetra apo aktuale, pasi FIFA me ndryshimin e rregulloreve tashmë u ka hequr edhe atë mbështetje që u garantonte FSHF duke mos u hequr pikët sa herë që vononin rrogat. Këtë e kanë mësuar mirë në Vlorë dhe në Gjirokastër, ku i ka mbërritur prej kohësh ultimatumi që në rast mospagese të detyrëve ndaj futbollistëve që kanë bërë ankimim ndaj këtyre vonesave, do të përballeshin me pasoja të rënda.

Dy klubet e Superiores, të cilët po përballen me ankesa të shumta kundër tyre FIFA, janë Flamurtari dhe Luftëtarit. Të dy skuadrat kanë humbur gjyqet që kanë pasur me ish-futbollistë të tyre në FIFA dhe ndërkombëtarët u kanë caktuar afate ditore për të bërë pagesat e prapambetura, përndryshe të dy skuadrat do të pësonin fatin e Tiranës.

Bardheblutë, në vitin 2017 nuk mundën të blinin futbollistë gjatë janarit, pasi kishin vonuar përtej afatit pagesën e 5 mijë dollarëve ndaj një ish-lojtari. FIFA nuk fali bardheblutë dhe në këtë situatë gjenden tashmë edhe Flamurtari me Luftëtarin. Nëse nuk mbyllin pagesat e prapambetura, ndaj tyre nuk do të vonojë konfirmimi zyrtar se nuk u lejohet të afrojnë futbollistë, sado që të jenë në kontakte me ta.

Meqë çdo marrëveshje me lojtarë tashmë kalon nëpërmjet sistemeve të FIFA-s, edhe transferimet kombëtare, për vlonjatët dhe gjirokastritët nuk ka rrugë tjetër përveçse të paguajnë, ose të përballen me pasojat. Fakti se atë vit Tirana ra nga kategoria, duhet të shërbejë si një këmbanë e fortë alarmi për ta, por edhe të gjithë të tjerët që mendojnë se mund të ndjekin shembullin  tyre. /vipsport.al/