Kupa e debutuesve/ Zbresin në fushë blerjet e Tiranës, Partizanit dhe Teutës

Janë duke u luajtur shtatë ndeshje të Kupës së Shqipërisë për raundin e 1-8/tave, teksa skuadrat kërkojnë kualifikimin për në çerekfinale. Ndërkohë, skuadrat e Kategorisë Superiore kanë gjetur mundësinë për t’i dhënë më shumë minuta futbollistëve të cilët nuk kanë pasur shanse gjatë kampionatit, ndërsa në formacionet e sotme është vënë re edhe aktivizimi i lojtarëve që janë transferuar në merkaton e janarit.

Kështu, trajneri i Partizanit Sormani ka preferuar të hedhë në fushë nga minuta e parë përballë Besëlidhjes transferimin e para disa ditëve nga Besa, sulmuesin Tedi Cara. Ndërkohë, edhe Tirana ka aktivizuar titullar përballë Kastriotit Lancinet Sidibe. Mesfushori është bërë pjesë e bardhebluve me formulën e huazimit gjashtëmujor nga skuadra e Besëlidhjes.

Sakaq, në portë për 24-herë kampionët e Shqipërisë është Pano Qirko. Gardiani i talentuar u transferua në verë nga ekipi i Flamurtarit por nuk kishte gjetur mundësinë e aktivizimit, e cila i ka ardhur ditën e sotme. Edhe Teuta i ka dhuruar debutimin transferimit më të bujshëm të merkatos së janarit, Rubin Hebaj. /Egi Çabeli-VipSport.al/