Klubi i Serisë A e ka seriozisht për Kumbullën, ofrojnë kesh dhe e duan menjëherë në skuadër

Marash Kumbulla është një nga emrat më të përfolur në merkaton e janarit. Futbollisti i Kombëtares ka shkëlqyer në pjesën e parë të sezonit me Veronën duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha në Serinë A, por jo vetëm. Interi është një nga kandidatët seriozë për të nënshkruar me talentin 19-vjeçar, por së fundmi zikaltërit mund të hasin në pengesën e Fiorentinës.

Klubi vjollcë kishte dërguar emisarë në sfidën e djeshme të Veronës, ndërsa kërkon ta transferojë mbrojtësin në janar, duke djegur konkurrencën pasi klubet e presin Kumbullën në verë. Fiorentina është e gatshme të ofrojë 12 milionë euro, ndërsa ka edhe një tjetër opsion për të bindur Veronën.

Klubi nga Firence mund të ofrojë huazimin e futbollistit Rikardo Sotil plus shtatë milionë euro. Mbetet për t’u parë nëse oferta do konkretizohet dhe a do pranohet nga Verona dhe nga ana e Kumbullës, duke qenë se ofertat dhe mundësitë janë të shumta.  /Egi Çabeli-VipSport.al/