Kërçiku: Te Partizani ndihem shumë mirë, shokët te Tirana më uruan për transferimin

Dorian Kërçiku është surpriza e kësaj merkatoje deri tani. Mbrojtësi la Tiranën për të rënë dakord paraprakisht me Bylisin, megjithatë ai ndërroi mendje, duke lënë ballshiotët për kampionët e Partizanit. Një lëvizje, që krijoi shumë debat dhe reagimin e presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj.

Pas transferimit te Partizani edhe tifozët e Tiranës janë ndierë të tradhtuar nga lojtari. Megjithatë, Kërçiku i ka “kapërdirë” të gjitha dhe është i gatshëm të japë maksimumin për kampionët e vendit. Në një intervistë për “Top Channel” ai tregohet i qetë dhe shton se disa futbollistë të Tiranës e kanë uruar për zgjedhjen e skuadrës së re.

“Ndihem shumë mirë sepse realisht më kanë pritur mjaft mirë. Kaloj kohë me të gjithë, por pak më tepër me Trashin dhe Telushin. Disa prej futbollistëve të Tiranës më kanë uruar me mesazhe për zgjedhjen që bëra duke u bërë pjesë e Partizanit.  Dua të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën të fitojë jo vetëm titullin, por edhe kupën e Shqipërisë. Kam folur me trajnerin Sormani mbi gjithçka dhe mbi të gjitha për gjendjen time fizike. Më ka këshilluar të vijoj të stërvitem shumë për të arritur formën e duhur”, përfundon Kërçiku. /VipSport.al/