Gjoka: Duam të rrisim cilësinë e grupit me lojtarë Kombëtareje, Shkëndija është model për t’u ndjekur

Trajneri i Shkëndijes së Tetovës, Ernest Gjoka ka folur për kanalin e klubit teksa ndër temat kryesore ka qenë ajo e merkatos. Tekniku shprehet se kërkon që skuadra të përforcohet me futbollist të ndonjë ekipi Kombëtar pse jo edhe në Ballkan apo jashtë Ballkanit në Europë. Gjoka thekson se Shkëndija është një model për t’u ndjekur dhe për t’u marrë shembull në Shqipëri.

Faza përgatitore? “Sigurisht jemi në një fazë të rëndësishme të përgatitjeve të larta fizike, jemi në një moment të vështirë, sidomos për lojtarët sepse janë ngarkesat e larta fizike dhe kjo ka një lodhje. Ne me stafin tim jemi munduar të përcaktojmë dhe ta ndajmë në disa etapa këtë periudhë. Faza e parë e përgatitjeve të larta fizike ka filluar që ditën e hënë të javës së kaluar dhe deri me nisjen për në Antalia do të jetë një fazë shumë e ngjeshur nga ana fizike. Pjesa kryesore e ngarkesave do të jetë e anës fizike që përfshin punën në palestër dhe ngarkesat e larta pa top, por sigurisht edhe duke u alternuar në mënyrë graduale për të arritur maksimumin e anës fizike. Pjesa e dytë e përgatitjes do të vazhdojë në Antalia ku përmes ndeshjeve kontrolluese do të kërkojmë të sjellim skuadrën sa më shpejtë në formë.”

Merkato? “Sa i përket merkatos mendoj se Shkëndija është një skuadër e plotësuar me lojtarë. Ne kemi një skuadër që unë besoj se kemi cilësi brenda, kemi edhe lojtarët kyç të skuadrës, por sigurisht që kemi bërë disa ndërhyrje në ato pika që ne kemi menduar se kemi pasur mungesa. Kështu që edhe sa i përket merkatos, mendoj se Shkëndija gradualisht është plotësuar në total. Por merkato do të jetë e gjatë dhe mendoj se në qoftë se do kemi mundësi ose do na vijë ndonjë lojtar që mund të jetë një lojtar që do na sjellë akoma më shumë cilësi, një lojtar që do të ishte ndoshta i ndonjë ekipi kombëtar, pse jo edhe në Ballkan apo edhe jashtë Ballkanit në Europë, ne nuk do të themi jo!

Por sigurisht brenda atyre mënyrave dhe strategjisë që ne mendojmë se mund të na hyjë në punë dhe të na sjellë edhe cilësi edhe freski dhe sidomos besim për të ecur përpara.” Dallku, Ahmedi, Neto dhe Krivak. “Patjetër se këta janë lojtarët që kanë qenë domosdoshmëri në skuadër dhe mendoj se së bashku me bordin drejtues nga një studim deri në detaje të skuadrës kemi menduar se këto janë pikat më të nevojshme për momentin për të përforcuar skuadrën.”

Bashkë më largimet, është skuadra e kompletuar? “Unë mendoj që po dhe po ta shikojmë me kujdes kemi bërë lëvizje shumë të kujdesshme dhe në ato pika që na janë larguar lojtarë jemi munduar t’i zëvendësojmë po me lojtarë, po me cilësi.” Shkëndija më e fortë në vjeshtë? “Mendoj se Shkëndija duhet të jetë akoma edhe më e fortë, sepse mendoj që Shkëndija është një skuadër me mentalitet fitues dhe sigurisht edhe lojtarët që janë ofruar e kanë ditur këtë gjë, e kanë kuptuar këtë gjë, po e kuptojnë këtë gjë. Mendoj se çdo ditë e më shumë ne do të bëhemi edhe më të fortë, duke e lënë mbrapa atë handikap që patëm në fillim të kampionatit.” Nëse do të kishit mundësi, çka do të kishit shtuar në skuadër? “Jo, nuk është se nuk kemi mundësi, ne kemi shumë mundësi për të sjellë, por problemi është se unë mendoj se Shkëndija ka potencialin e saj. Jemi munduar të sjellim vetëm në ato pikat ku kemi pasur probleme, apo në ato pika ku na janë larguar lojtarë cilësorë, për t’i zëvendësuar me po lojtarë cilësorë.”

E kompenson Shkëndija diferencën prej 8 pikëve? “Ne shpresojmë shumë që do të bëjmë maksimumin tone. Do të bëjmë gjithçka për të arritur të zvogëlojmë atë madhësi pikësh që kemi nga vendi i parë, për të parë përpara. E thash më herët që Shkëndija është ndërtuar për të bërë sukses. Është ndërtuar për të qenë lokomotiva e futbollit në kampionatin maqedonas dhe unë shpresoj dhe besoj se gjithë bashkë do ja dalim.”

Në Shqipëri keni thënë se Shkëndija duhet të merret si shembull?  “Absolutisht po, mendoj se Shkëndija është një klub i ndërtuar në baza shumë të kujdesshme. Është një institucion në radhë të parë, sepse për të ndërtuar një skuadër futbolli duhet të kesh institucione, sepse në fund të fundit është një ndërmarrje. Mendoj se që nga pronari z. Lazim Destani ka sjellë mentalitet ndryshe, profesional, kulturë pune dhe mentalitet që në futboll në trevat shqiptare është pak e vështirë për tu duruar për të arritur te suksesi. Kjo është shumë me rëndësi dhe prandaj unë them se Shkëndija është një model për t’u ndjekur”, u shpreh Gjoka.