FOTO / Reja të mbajë shënim, Eredivisie rendit Selahin si mesfushorin më të mirë

Cikli i ri i trajnerit Edi Reja me siguri do të ketë pjesë të rëndësishme të tij mesfushorin e talentuar Lindon Selahi. Djaloshi i cili po shkëlqen në Holandë me fanellën e Tuente, nuk ka pasur ende mundësinë që të tregojë vlerat e tij me fanellën kuqezi përtej atyre pak minutave ndaj Moldavisë, por pritet që Reja t’i besojë më shumë duke filluar që nga miqësoret që po planifikohen në pjesën e parë të vitit.

Tekniku duhet t’i besojë atij edhe për faktin e thjeshtë se statistikat tregojnë që është ndër më të mirët e kampionatit holandez sa i përket mesfushorëve të qendrës, të cilët ndërtojnë aksione por edhe kujdesen për të ndaluar ato të kundërshtarëve. Ka qenë vetë Eredivisie, kampionati holandez, që ka publikuar të dhënat që nxjerrin Selahin mes futbollistëve më të spikatur të këtij sezoni.

Në renditjen e dueleve të fituar, rezulton se ai është mesfushori i cili ka arritur të fitojë më shumë të tillë në kampionat. I pari në listë është sulmuesi Pavlidis i Vilem II me 156 duele, i ndjekur nga sulmuesi Sinisterra i Fejenord, me 153. Mbrojtësi Zefuik i Groningen është i katërti, me 147, ndërsa Selahi është i 5-ti me 143, para mbrojtësit të Ajaksit, Veltman.

Këto statistika tregojnë qartësisht aftësitë e djaloshi të talentuar i cili po vërteton ndeshje pas ndeshje me Tuenten se ka përpara një të ardhme të shkëlqyer e tashmë të gjithë presin me padurim që ta shohin të bëjë të njëjtën gjë edhe me fanellën kuqezi. /vipsport.al/