Fidan Aliti kërkohet në Serinë A: E këndshme ta dëgjoj, do të shohim se çfarë ndodh në janar

Fidan Aliti ishte titullar në miqësoren kundër Suedisë pak ditë më parë duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ndërkohë, emri i tij po lakohet edhe në Serinë A italiane dhe është Atalanta skuadra që interesohet për mbrojtësin shqiptar.

Ndërkohë, Aliti ka dhënë një intervistë për mediat suedeze dhe është ndalur edhe te zërat e merkatos, ku ka pranuar se për të është kënaqësi të dëgjojë se skuadra të tilla interesohen. Aliti shtoi se ka kontratë me Kalmarin por do të shihet se çfarë mund të bëjë.

“Ndaj Suedisë ishte një ndeshje e mirë për ne sepse kishim shumë djem të rinj. Jam krenar për këtu çuna. Kanë bërë një punë të mirë në stërvitje dhe luajtën minutë në ndeshje. Ishte bukur të luaja kundër Suedisë sepse më dukej sikur po luaj në kampionat, pasi e njihja 80% të ekipit.

Kalmari? Shpresoj të jemi më mirë se vjet. Ishte një sezon i vështirë dhe nuk e kishte askush të lehtë. E nisëm nga zero dhe do të provojmë të japim maksimumin. Ende nuk e kam takuar trajnerin e ri, por do të shkoj së shpejti.

E ardhmja? Nuk e di se çfarë do të bëjë sepse ju e dini si funksionon futbolli. Kam edhe 3 vite në kontratë dhe do të shohim çfarë ndodh. Ka interesime por kështu është futbolli. Ka diskutime dhe tashmë do të shohim. E këndshme të dëgjoja se më kërkon Atalanta por siç thashë kam kontratë dhe do të shohim çfarë ndodh në janar”, tha Aliti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/