Cilësohej si zbulim i Kombëtares, mesfushori përfundon në kampionatin italian

Merkatoja e janarit po sjell lëvizje të shumta të futbollistëve dhe një ndër to është edhe mesfushori shqiptar, Kamer Qaka. Skuadra e Kraiovës dhe mesfushori kanë ndarët rrugët e tyre dhe tashmë për futbollistin shqiptar po nis një aventurë e re dhe me shumë gjasa do të transferohet në kampionatin italian.

Krahëhapur po e pret trajneri Tramezani i cili në të shkuarën ka qenë ndihmës i Xhani De Biazit, duke e kërkuar për ta afruar Qakën te skuadra e Livornos. Mediat italiane raportojnë se këtë javë do të bëhet lëvizja dhe Qaka do të provojë tashmë një aventurë të re në një kampionat më elitar se ai rumun.

Klubi i Livornos kërkon ta huazojë me të drejtë blerje dhe mesa duket klubi i Kraiovës nga Rumania ka pranuar që të huazojë futbollistin. Mesfushori që ka luajtur edhe me Shqipërinë e Panuçit, shihej si një lojtar që mund të konsiderohej zbulim për kuqezinjtë, por ka kohë që nuk grumbullohet më dhe tashmë me kalimin në Itali, ai shpreson që të ribashkohet me skuadrën kuqezi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/