Biznesi më i dështuar i Milanit, shpenzoi 51 milionë euro për asgjë

Matia Kaldara është rikthyer te Atalanta atje ku shpërtheu si lojtar. Juventusi nuk i besoi dhe te Milani nuk arriti të lërë shenjë. Bardhezinjtë një sezon para se Kaldara të vishej kuqezi, patën dërguar Bonuçin në Milano për shifrën e 42 milionë eurove.

Ky i fundit ndërroi mendje brenda një sezoni për t’u rikthyer përsëri në Torino. Marota, atë kohë drejtor i përgjithshëm i bardhezinjve, bindi Milanin për një ndërrim kokë më kokë Bonuçi-Kaldara. Në të njëjtin vit Milani mori në huazim njëvjeçar për vlerën e 18 milionë eurove Gonzalo Higuain nga “Zonja”. Argjentinasi u largua si shkak i mungesës së hapësirave pas ardhjes së Ronaldos.

32-vjeçari nuk u përshtat aspak në “San Siro”, duke kaluar te Çelsi për t’u bashkuar me Sarrin në muajin janar. Kështu, shuma prej 18 milionë eurosh u nda përgjysmë mes klubit anglez dhe Milanit.

Shuma e këtyre lëvizjeve arrin në minus 51 milionë euro në arkën e klubit italian. Higuain dhe Bonuçi janë kthyer në “Allianz Stadium” dhe Kaldara u zyrtarizua te Atalanta. Pra, Milani nuk ka në organikë asnjë prej këtyre lojtarëve, por as 51 milionë eurot e shpenzuara për to. E vetmja gjë që duhet të shpresojë Milani është që Atalanta pas 18 muajsh të blejë kartonin e Kaldara për 15 milionë euro, për të amortizuar disi këtë shpenzim të tepruar. /vipsport.al/