Xhaka dhe Zhegrova të pandashëm: Mistrec, mund të luajë gjithmonë kështu

Edon Zhegrova më në fund duket se ka gjetur vendin e duhur ku të shkëlqejë. Shumë skepticizëm ka rrethuar prej kohësh djaloshin e talentuar që përfaqëson Kosovën që në ditët e tij të para si profesionist, por te Bazeli pak nga pak po gjen mënyrën e tij të lojës dhe e tregoi më së miri ndaj Jang Bojz, me gol dhe asist.

Një ndeshje për t’u vënë në kornizë, pasi të gjithë mbetën të mahnitur me driblimet dhe shpërthimet e djaloshit të talentuar.  “Ai është një shoumen, një mistrec, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj”, shpjegoi me humor Taulant Xhaka pas ndeshjes.

Vetë Zhegrova tregon se i merr si shaka këto fjalë, pasi me Xhakën ka lidhje të ngushta. “Më ndihmon shumë dhe më jep këshilla të mira. Ai është më i vjetër se unë dhe ka më shumë eksperiencë”, shpjegon sulmuesi.

Ky i fundit shpesh është kritikuar se nuk merr pjesë në fazën mbrojtëse, por askush nuk ka çfarë të thotë kur ai dhuron magji në anën tjetër të fushës. “Ai mund të luajë gjithmonë kështu, është argëtuese”, pranoi Xhaka i cili pa se si Zhegrova masakroi mbrojtjen e kampionëve në fuqi të Zvicrës dhe rihapi kampionatin. /vipsport.al/