Volejbolli i jep jetë sportit pas tërmetit, Erzeni eliminon në Shijak Partizanin

Të gjitha aktivitetet sportive në vend u ndalën në javën e kaluar si pasojë e tërmetit. Fatkeqësia natyrore la pas shumë viktima dhe dëme materiale, teksa ankthi përfshiu të gjithë vendin. Ndaj, sporti kaloi në plan të dytë. Mirëpo, tashmë aktiviteti duhet të rifillojë dhe futbolli do të rinisë në fundjavë.

Por, ajo që i ka paraprirë futbollit në vend, ka qenë volejbolli. Ditën e djeshme në Shijak, është luajtur sfida për në kompeticionet europiane mes Erzenit dhe Partizanit. Dhe bëri përshtypje se si ishin mbushur shkallët në Pallatin e Sportit “ Dhimitraq Goga”. Kjo pasi Shijaku ishte një nga zonat më të prekura nga tërmeti, ku u shkatërruan shumë ndërtesa ndërsa disa prej tyre janë cilësuar të pabanueshme. Megjithatë, për fat të mirë nuk pati viktima.

Kështu, shijakasit menduan t’i rikthehen sadopak jetës së zakonshme, duke ndjekur nga afër ekipin e zemrës. Ndërsa, skuadra e Erzenit në këtë ndeshje i bëri krenar teksa ia doli të eliminonte Partizanin duke e mposhtur me shifrat 3-0, po aq sa e kishte mundur edhe në ndeshjen e parë në Tiranë. Tashmë, Erzeni do të përgatitet për sfidën e radhës ndaj italianëve të “Allianz Power Volley”.  /Egi Çabeli-VipSport.al/