Vlerësim i jashtëzakonshëm në Itali, Gjimshiti dhe Berisha në “Skuadrën e vitit”

Dy futbollistë shqiptarë janë pjesë e skuadrës më të mirë të sezonit 2018-2019 në Itali. Janë Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti të cilët si pjesë e Atalantës kanë marrë këtë vlerësim në ceremoninë e “Gran Gala del Calcio” që u zhvillua sot.

Votimi i specialistëve nxori skuadrën e drejtuar nga Xhampiero Gasperini si ekipin më të mirë të sezonit të kaluar, ku ekipi jashtë çdo parashikimi u kthye në makineri golash dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve për herë të parë në histori. Berisha ishte protagonist në pjesën e parë të sezonit në radhët e këtij klubi, kurse Gjimshiti ishte një nga surprizat më të këndshme të tij, ndërsa vazhdon edhe sot pjesë e zikaltërve.

“Trajneri ka bërë një punë të shkëlqyer, shpresojmë që të zgjasë përgjithmonë. Kënaqësia më e madhe? Bilancet në rregull. Nuk është thjesht një detaj, bëjmë programim dhe investime mbi gjëra që mund të bëjmë. Jemi në rrugën e duhur dhe jemi të lumtur, ndonëse ka ende për të bërë”, deklaroi presidenti Perkasi kur mori çmimin në emër të skuadrës. /vipsport.al/