Vijojnë sukseset nën drejtimin e Gutit, mbrojtësi i Shqipërisë drejt La Liga

Vendimi për t’iu bashkuar Almerias në La Liga 2, duket se ka qenë zgjedhja e duhur për karrierën e Ivan Balliut. Mbrojtësi vendosi të largohej nga Metz duke refuzuar edhe ofertën për të luajtur në elitën e kampionatit francez, pasi dëshironte të shkonte në Spanjë.

Ai po luan rregullisht në radhët e kësaj skuadre e cila me ndryshimin e trajnerit, duke ulur në stol një emër shumë të njohur si ish-futbollisti i Real Madrid dhe Spanjës, Guti, po tregon se është një forcë serioze për ngjitjen më lart. Të shtunën në darkë, Balliu me skuadrën e tij mori një tjetër fitore të rëndësishme, duke mundur 3-1 ne transfertë ekipin e Tenerifes.

Dy golat e Lazo në pjesën e parë dhe më pas Aguzo në fundin e sfidës, i dhanë ekipit të Balliut një fitore të rëndësishme që e ngjit për momentin në vendin e dytë në La Liga 2, në ndjekje të Kadiz i cili është për momentin i shkëputur me 7 pikë diferencë pas një starti thuajse perfekt që i ka bërë sezonit. /vipsport.al/