VIDEO / Vazhdon recitali i Sadikut, dy gola në ndeshjen e Malagas

Armando Sadiku vazhdon të shënojë me fanellën e Malagas në La Liga 2. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, ka shënuar sot golat e tij të 5-t ë dhe 6-të në 14 ndeshje të luajtura, për t’i dhënë fitoren 2-0 skuadrës kundër Tenerifes, një duel delikat që luhej për t’iu larguar fundit të klasifikimit.

Titullar si zakonisht, ashtu si Keidi Bare, Sadiku ka gjetur rrjetën në minutën e 27 pas një goditje nga këndi, ku ai u tregua i aftë t’i shmangej mbulimit të mbrojtjes për të dërguar topin në rrjetë. Një goditje prej nuhatësi të vërtetë brenda zonës, që i dha avantazhin Malagas në këtë sfidë delikate.

Në minutën e 76 të ndeshjes, Sadiku kishte mundësinë të dyfishonte shifrat me një penallti dhe ia doli, duke dërguar topin në rrjetën e portës kundërshtare. Rezultati 2-0 ishte ai me të cilin u mbyll ndeshja e sotme, duke i dhënë mundësinë Malagas të largohej nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Trajneri kishte kërkuar përforcime në sulm në janar, por duket qartësisht se kushdo që do të vijë te Malaga, do të jetë zgjedhje e dytë pas bomberit shqiptar. /vipsport.al/