VIDEO/ Sulmuesi shqiptar gjen golin në Bjellorusi, shënon Azdren Llullaku

Azdren Llullaku ka gjetur golin në ndeshjen e cila po luhet në këto momente mes Shaktjor Soligorsk dhe Gorodejas, në kampionatin bjellorus. Sulmuesi shqiptar e ka nisur sfidën si titullar për Shaktjorin dhe nuk ka zhgënjyer pritshmëritë teksa në minutën e nëntë u shfaq përballë portierit kundërshtar i vetëm.

31-vjeçari u tregua gjakftohtë dhe me një prekje e dërgoi sferën në rrjetë. Goli është një lajm i mirë për Llullakun i cili në këtë sezon nuk ka pasur mundësinë e aktivizimit në vazhdimësi dhe ka humbur edhe kontaktet e grumbullimit me Kombëtaren.

Sakaq, në stolin e Shaktjorit është edhe një tjetër shqiptar, Elis Bakaj. Sulmuesi është një titullar i rregullt dhe lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, por lajmi që në fund të sezonit do largohet drejt ekipit kampion të vendit, Brest, ka bërë që të ulet në stol. /Egi Çabeli-VipSport.al/