VIDEO / Si trukohen ndeshjet e tenisit, në fushë një lojtar që nuk di të godasë topin

Një nga sportet më të rrezikuar nga trukimet aktualisht është tenisi, pasi ka me dhjetëra aktivitete ndërkombëtare çdo javë dhe të kalosh rrjetën e kontrolleve shpesh është shumë e lehtë. Disa turne, për të plotësuar radhët garuesve u japin mundësi edhe amatorëve, të cilësuar “alternativa” që të marrin pjesë në raundet e para, duke dhuruar ndeshje që shpeshherë janë skandaloze pasi mes tyre përfshihen edhe trukues.

Një ndeshje e zhvilluar së fundmi në Doha të Katarit, ka bërë xhiron e botës, pasi përballeshin Kojakul i Tajlandës (numri 1367 në renditjen botërore) me Bahmet të Ukrainës, i cili ishte në prej “alternativave” që regjistrohen duke paguar rreth 65 euro në pritje të hapjes së një vendi nga mosparaqitjet e profesionistëve.

Dueli ka rënë në sy për faktin e thjeshtë se tajlandezi fitoi të dy setet 6-0 pa i lënë asnjë pikë të vetme kundërshtarit dhe po të shihet video, kuptohet qartësisht pse. Pamjet e filmuara gjatë turneut tregojnë Bahmet që nuk arrinte as t’i binte topit, duke treguar një nivel amator që normalisht nuk duhej të pranohej në turne që bën pjesë në listën e atyre ndërkombëtare.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ndeshja është shfaqur në televizion dhe shumëkush ka vënë baste në rezultate live dhe përfundimin e saj, duke bërë që të lindin dyshime shumë të mëdha se gjithçka ka qenë e organizuar për të trukuar këtë sfidë e për të përfituar financiarisht nga ajo pasi ishte e pamundur që të kishte realisht pjesëmarrës në turne të një niveli kaq të ulët. /vipsport.al/