VIDEO / Shtyllë, traversë, superportierë dhe në fund Mesi. Barcelona mund Atletikon

Barcelona është kthyer përsëri në kreun e La Liga pas një fitoreje në një duel mbresëlënës kundër Atletiko Madrid. Skuadra katalanase ka dalë nga “Uanda Metropolitano” me tri pikët, në një ndeshje që mund të përfundonte me çdo lloj rezultati e në fund u zgjidh nga Mesi.

Që në pjesën e parë ishte Atletiko që vuri në vështirësi të mëdha katalanasit por u gjet para Ter Shtegen të pakalueshëm sot, ndërsa ishte i pafat kur Xhunior devijoi në shtyllën e portës së tij një pasim nga e djathta të Hermoso. Në fund të pjesës së parë, ishte radha e Barcelonës të dëshpërohej kur traversa i mohoi golin pas një goditje me kokë të Pike.

Pjesa e dytë kishte momente të mira në të dy portat, me portierët që u shfaqën vendimtarë me disa grushtime spektakolare, e për t’u zgjidhur fati i kësaj ndeshje u desh një gjenialitet i Mesit në minutat e fundit. Argjentinasi kombinoi me Suarez dhe në hyrje të zonës lëshoi një goditje të pakapshme për Oblak, duke shënuar golin e vetëm të kësaj ndeshje që i dha tri pikët ekipit të tij. /vipsport.al/