VIDEO / Rashica me dy gola, shqiponjë e dedikim për shqiptarët

Milot Rashica ka gjetur përsëri rrugën e rrjetës sot dhe ashtu si ka bërë shumë shpesh gjatë karrierës së tij, këtë gol ua ka kushtuar shqiptarëve në momente të vështira. Sulmuesi i Kosovës, si zakonisht titullar në radhët e Verder Bremen, ka gjetur rrjetën që në minutën e 14 të duelit ndaj Volfsburg.

Ka qenë një penallti ajo e fituar nga skuadra e Verder që në minutën e 13 të ndeshjes që i ka dhënë mundësinë Rashicës të shkonte drejt pikës së bardhë. Futbollisti është treguar i qetë në ekzekutimin e saj duke dërguar topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin skuadrës.

Menjëherë festimi me shqiponjë, pastaj gishtat drejtuar qiellit. Një mesazh i qartë që nuk ka nevojë për shumë interpretim ai i futbollistit të Kosovës, i cili ka shprehur në këtë mënyrë solidaritetin e tij me ata që kanë humbur shumë në këto ditë nga tërmeti i rëndë në Shqipëri.

Në minutën e 83-të, kur shifrat ishin 2-2, sulmuesi goditi përsëri pas një kundërsulmi të shpejtë, këtë herë me një diagonale të pakapshme, për të përsëritur edhe një herë festimet e për të shtyrë skuadrën drejt një suksesi e zonës së Europës. /vipsport.al/