VIDEO / Liverpuli është i pandalshëm në derbi, Klop kalon Ferguson e Venger

Liverpul nuk di të ndalet, as kur bëhet fjalë për derbin e ndezur ndaj Evertonit. Skuadra e Jurgen Klop, edhe pse me shumë mungesa në formacionin titullar, ka fituar duelin e sotëm me shifrat 5-2, duke vazhduar dominimin absolut në kampionat e shkëputur nga çdo ndjekës.

Me Firmono, Henderson, Oksleid-Çambërlein e Salah në stol, u mendua se Liverpuli do të kishte vështirësi në fazën ofensive, por kryesuesit dominuan me lehtësi sfidën dhe gjetën rrjetën me rregullsi mbresëlënëse. Dy gola të Origi, si dhe Shaqiri e Mane shënuan për Liverpulin në pjesën e parë, por si për çudi, mbrojtja futi ujë dhe të kuqtë pësuan dy herë nga Kin dhe Riçarlison duke lënë gjithçka të hapur. Në pjesën e dytë, Everton nuk pati fuqinë e duhur për të reaguar dhe në fund, goli i Vijndalum i dha suksesin 5-2 Liverpulit që mbetet 8 pikë larg Leisterit ndjekës e 11 ndaj Mançester Sitit.

Kjo ishte fitorja e 100 në kampionatin anglez në pankinën e Liverpulit për Jurgen Klop, në vetëm 156 ndeshje në drejtim. Ai kaloi kësisoj emra si Ferguson (iu deshën 162 ndeshje) e Venger (179). I vetmi që ka arritur më shpejt numrin e 100 fitoreve është Zhoze Murinjo, i cili kapi këtë shifër pas 142 ndeshjeve të luajtura. /vipsport.al/