VIDEO / Lautaro Martinez bën fenomenin dhe ngjit Interin në krye, Milani buzëqesh në fund

Lautaro Martinez vazhdon të tregojë formën e tij të jashtëzakonshme me Interin dhe ka ndihmuar këtë të fundit të sigurojë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Spal, që i ka kthyer përsëri zikaltërit në kreun e renditjes së Serisë A. Golat e argjentinasi kanë qenë vendimtarë për këtë skuadër që sheh parakalimin e radhës ndaj Juventusit pas gafës që ky i fundit bëri në shtëpi..

Sulmuesi shënoi dy herë në portën e Berishës në pjesën e parë të ndeshjes, duke treguar të gjitha aftësitë si një nuhatës i jashtëzakonshëm i portës, fillimisht me kokë e pastaj me një diagonale të shkëlqyer. Por goli i Valotit në fillimin e pjesës së dytë hapi ndeshjen dhe bëri që për Interin të kishte drithërima deri në mbyllje të 90 minutave.

Ndërkaq, ka pasur festë edhe për Milanin, pasi kuqezinjtë kanë mundur 1-0 Parmën në transfertë. Një gafë e prapavijës së emilianëve, ku Dermaku nuk u aktivizua, solli golin e Hernandez në minutën e 89 të takimit dhe i dha tri pikët ekipit të Piolit.

Fitorja më e qetë ishte ajo e Lacios, që mundi 3-0 Udinezen falë dygolëshit të Imobile e pastaj penalltisë së Luis Albertos, të gjithë në pjesën e parë.

Ndeshjet
Parma-Milan 0-1
89’ Hernandez

Lacio-Udineze 3-0
9’, 36’ (p) Imobile, 45’+1’ L. Alberto

Inter-Spal 2-1
16’, 41’ Martinez / 50’ Valoti