VIDEO / Hysaj spektator, Napoli mundet në shtëpi dhe bën 7 ndeshje pa fitore

Skuadra e Napolit është kthyer brenda dy muajsh nga një superfuqi në futbollin italian, në një ekip që tani shpreson që të arrijë Europën, pas një serie të gjatë rezultatesh pa fitore që ka ndikuar rëndë në psikologjinë e skuadrës dhe sigurisht rezultateve të saj. Kriza tashmë publike me klubin rëndon gjithashtu e konfirmimi erdhi sot në humbjen 2-1 në shtëpi përballë Bolonjës, ku ekipi përsëriti gafat e zakonshme.

Edhe pse në avantazh me Jorenten, skuadra e Ançelotit nuk arriti të mbyllte sfidën dhe një gabim i Kulibali i dha mundësinë Skov-Olsen të barazonte rezultatin në pjesën e dytë. Mbrojtja e Napolit shfaqi vazhdimisht probleme me rreshtimin e preferuar nga Ançeloti që la përsëri Hysajn në stol, e Sansone shfrytëzoi një të tillë pas asistit të Xhemajlit, duke shënuar golin e rezultatit përfundimtar 2-1.

Kjo humbje ishte ndeshja e 7 radhazi pa fitore në kampionat për napolitanët, një seri që i ka larguar jo vetëm nga kreu, por edhe nga zona e Ligës së Kampioneve. /vipsport.al/