VIDEO / Drogba tregon historinë e pabesueshme të “selfie” që i mohoi Mbape: 10 vite më parë ishte nata e turpit

Një “selfie” me yjet pjesëmarrës në ceremoninë e “Topit të Artë” është bërë si traditë por ajo e sotmja me Didier Drogba dhe Kilian Mbape ka mbrapa një histori të pabesueshme. Ka qenë vetë ish-sulmuesi nga Bregu i Fildishtë që e ka zbuluar gjatë ceremonisë së “Topit të Artë” kur ftoi sulmuesin në skenë.

“10 vite më parë, në një natë të gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve, Çelsi-Barcelona, një natë turpi”, tha ai duke iu drejtuar Mesit e kujtuar atë ndeshje të humbur mes polemikash të shumta, “i kisha premtuar një miku që do të bëjë një foto me një fëmijë të vogël 10 vjeçar pas asaj ndeshje. Por ajo natë aty u transformua në turp dhe u largova menjëherë pas ndeshjes, ndaj nuk e bëra këtë foto. Ka ca kohë që kam mësuar se ai djalë ishe ti Kilian”, shpjegoi Drogba duke iu drejtuar sulmuesit.

“Ndaj sonte, kam vendosur që të shlyej borxhin para të gjithë botës. Ndaj më sillni celularin…”, tha Drogba duke bërë me të një “selfie” që do të hyjë në histori. /vipsport.al/