U prekën nga tërmeti, Teuta përcakton ditën e stërvitjes

Tërmeti që goditi Shqipërinë të martën e kësaj jave paralizoi të gjithë aktivitetin në vend. Kështu, edhe futbolli ndali veprimtarinë, ndërsa shumë fusha dhe qendra sportive u kthyen në kampe ku u ngritën çadrat për ata që iu shkatërrua shtëpia.

Epiqendra e tërmetit ishte në Durrës dhe qyteti ka marrë një tronditje të madhe. Edhe ekipi i Teutës e ka ndjerë këtë fatkeqësi, teksa shtëpitë e disa prej lojtarëve kanë pësuar dëmtime apo edhe më keq, janë shpallur të pabanueshme. Ndërsa, disa nga të huajt e skuadrës janë larguar, si një formë për t’i shpëtuar rrezikut.

Sakaq pas një jave pa përgatitje, ditën e nesërme është parashikuar që ekipi t’iu rikthehet stërvitjeve nën urdhrat e trajnerit Bledi Shkëmbi. Sigurisht, do jetë e vështirë, teksa pritet të shihet nëse skuadra do jetë e plotë. Kështu, sfida e fundjavës së ardhshme ndaj Skënderbeut do të përgatitet në një ambient aspak të qetë, megjithatë lojtarët duhet të gjejnë forcën për të vazhduar. /Egi Çabeli-VipSport.al/