U mburr para Terim, Gallatasaraj pezullon Kampionin e Botës e do ta kthejë te klubi ku nuk do të luajë

Skuadra e Romës mund të përballet shumë shpejt me një telash të madh, pasi ekziston mundësia reale që të ketë në radhët e saj një lojtar që nuk do në asnjë mënyrë që të luajë për të, edhe pse një Kampion Botë me Francën. Stiven N’Zonzi duket se ka bërë nja nga bëmat e tij edhe në Turqi, ku ishte huazuar te Gallatasaraj dhe klubi turk është gati ta paketojë e kthejë mbrapsht, sigurisht pa i shkuar ndër mend të blejë kartonin e lojtarit siç ishte akordi i mundshëm mes palëve.

N’Zonzi refuzoi të kthehej te Roma në verë dhe kjo e fundit u detyrua ta huazonte në Turqi, ku fillimisht ai po luante rregullisht me Gallatasarajin dhe kishte një akord për shitjen në fund të sezonit për 15 milionë euro. Por mesfushori ka inatosur trajnerin Fatih Terim në stërvitjen e fundit, duke u mburrur para tij.

Sipas mediave turke, ai i ka thënë Terim në stërvitje së ishte një lojtar që vlente 30 milionë euro, frazë të cilën tekniku i cili njihet për disiplinën, nuk e ka kapërdirë edhe aq lehtësisht. Kështu, lojtari është larguar nga stërvitja e pak më vonë klubi doli me një komunikatë duke bërë të ditur se e kishin pezulluar me afat të pacaktuar. Sipas mediave në vend, N’Zonzi e ka mbyllur me Gallatasarajin pas këtij incidenti dhe do të largohet në janar, për të shkuar në Itali, në një klub për të cilin nuk dëshiron më të luajë. /vipsport.al/