Tramexani nis punën në Serinë B e ndërkohë lavdëron Gjimshitin: E ka fituar në fushë

Paolo Tramexani është prezantuar sot zyrtarisht si trajneri i ri i skuadrës së Livornos, aventura e tij e parë në pankinë në futbollin italian të cilin deri tani e kishte parë nga larg. Ish-zëvendëstrajneri i përfaqësueses shqiptare ka vendosur të pranojë projektin e klubit i cili po vuan për rezultate e në këtë edicion e sheh veten duke rrezikuar rënien nga Seria B, pasi mban vendin e fundit në klasifikim.

Një sfidë interesante për Tramexanin i cili në kushte thuajse të ngjashme bëri mrekullinë te Lugano dy vite më parë, duke bërë emër si trajner. Ai ka dalë sot në stërvitje me skuadrën e tij, ku si objektiv ka të bëjë pikë në çdo mënyrë në javët e mbetura deri në janar kur pritet të bëhen afrime të rëndësishme në merkato e nuk përjashtohet që mes tyre të jetë edhe ndonjë futbollist shqiptar.

Por ndërkohë, Tramexani ka folur për një futbollist të paarritshëm nga klubi i tij, të paktën për momentin. Ai i ka thurur elozhe Berat Gjimshitit për atë që po bën në radhët e Atalantës e cila luan nesër në Ligën e Kampioneve.

“E njoh pasi e kam drejtuar në kombëtaren shqiptare kur isha zëvendësi i Xhani De Biazit, një lojtar i cili është përmirësuar shumë falë kujdesit të një trajneri të përgatitur si Gasperini, i cili lë vulën e tij mbi gjithçka, mbi të gjitha rritjen e dimensionit të skuadrës. Çdo gjë që e ka fituar, e ka marrë në fushë, është një futbollist i fortë”, tha Tramexani për mbrojtësin e kuqezinjve. /vipsport.al/