Stërviten dhe luajnë në fushë patatesh, por kapiteni i Lushnjës testohet në Itali

Shpesh herë është ngritur problematik për terrenet në Lushnjë, e madje edhe nga tifozët që e kanë bërë problem. Nëse stadium është në gjendje jo të mirë, por për Kategorinë e Parë është normal, ajo që të lë pa fjalë është aneksi.

Aty ku stërvitet Lushnja, por luajnë ndeshjet zyrtare ekipet e moshave në Lushnjë, sidomos U-17 dhe U-19. Madje, është një fushë jashtë çdo lloj standardi. Pluhur pa fund në verë, e baltë në dimër!

Por, një shprehje e urtë popullore thotë se nga “ferra” del “trëndafili”! Kapiteni i skuadrës U-17 të Lushnjës, Skënder Dedej, është provuar ditët e fundit te Benevento në Itali, te të rinjtë e këtij ekipi. Ai është shoqëruar nga sekretari i klubit, Edison Koçi, dhe sipas tij, Dedej është pëlqyer, kështu që i është hapur rruga kalimit të tij te Benevento…

Dedej ende nuk i ka mbushur 17 vjeç, luan në sulm dhe është shënuesi i më i mirë i Lushnjës U-17. Një element mjaft premtues dhe duket se të riut lushnjar po i jepet një shans i artë.

Lushnja dikur kishte 90% të lojtarëve vendas, e madje furnizonte edhe Shpresat apo Kombëtaren, ndërsa tashmë edhe në skuadrën e parë vendasit po “firojnë” sepse nuk iu është dhënë vëmendja e duhur nga drejtuesit, ku pasi luajnë me moshat, ose shkojnë jashtë qytetit, ose “digjen” duke e lënë futbollin dhe duke iu ndërprerë ëndrra në mes!

E.S./Vipsport.al/