Shkëmbi: Fitorja ndaj Skënderbeut ishte më shumë se sport, bëmë minimumin për këtë qytet

Teuta arriti të fitonte një ndeshje shumë të vështirë në shtëpi kundër Skënderbeut vetëm pak ditë pas tërmetit që goditi vendin tonë dhe ku mbetën të vdekur shumë persona në Durrës dhe Thumanë. Vetë trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi u shpreh për “Procesin Sportiv” se e ka gëzuar shumë fitorja e cila kalonte aspektin sportiv.

“Ishin 2 javë të vështira dhe sidomos ditët pas tërmetit. Por arritëm të fitonim dhe ishte minimumi që mund të bënim për tifozët e Teutës. Për një javë u shpërndamë dhe ekipi nuk funksiononte sepse u larguan të rinjtë. Një javë pa stërvitje menduam se do të ketë probleme.

Për fat të mirë dëme fizike nuk kemi, por kanë pasur disa futbollistë në shtëpitë e tyre dhe kanë pasur tronditje dhe të vështirë për të pasur përqendrim. Për fat të mirë arritëm të kalojmë një ndeshje të vështirë duke e fituar sepse personalisht doja ashtu si çunat, që minimumi të bënim mirë dhe të fitonim. Prandaj gëzuam aq shumë. Ishte dëshirë tjetër. Nuk kishte lidhje fitorja për sportin”, tha Shkëmbi. /VipSport.al/