Shënoi supergol kundër Skënderbeut, Vila: Ia dedikoj qytetit të Durrësit, kishim javën më të vështirë

Lorenco Vila ishte vendimtar në ndeshjen kundër Skënderbeut duke shënuar një supergol me roveshatë, por i ndihmuar edhe nga një devijim i Ditës. Në një prononcim për “Supersport”, ai ia ka dedikuar golin qytetit të Durrësit teksa shtoi se kërkon të bindë trajnerin për më shumë minuta.

“Goli i parë? Ia dedikoj qytetit të Durrësit pas asaj tragjedie që kaloi dhe jam shumë i lumtur që shënova këtë gol të fitores. Kemi kaluar javën më të vështirë të kampionatit sepse ndodhi një tragjedi dhe çunat ishin të shokuar. E kishim mendjen aty por me ndihmën e trajnerit e kaluam atë situatë. Jam shumë i lumtur që shënova dhe fituam.

Të gjitha skuadrat janë aty. Me një fitore mund të ngjitesh në vendin e parë dhe me një humbje shkon në “Play Out”.

Jam i ri dhe dua më shumë minuta për të treguar cilësitë. Shpresoj që me këtë gol që shënova të marr më shumë minuta dhe të fitoj vendin titullar dhe besimin e trajnerit. Duhet të jap akoma më shumë sepse pres më shumë nga vetja. Me më shumë minuta mund të tregoj se vlej edhe më shumë”, tha Vila. /VipSport.al/