Sadiku në garë për lojtarin e javës në Spanjë, kalon sulmuesin që rivalizonte me Mesin

Armando Sadiku fillon të bëjë emër në Spanjë, e tashmë jo vetëm mes tifozëve të Malagas të cilët i dhurojnë duartrokitje në çdo ndeshje pas asaj që po tregon me fanellën e kësaj skuadre. Falë dy golave të shënuar në fundjavë, që i dhanë fitoren skuadrës së tij, Sadiku tashmë është kthyer ndër lojtarët më të vlerësuar në La Liga 2 e nuk është rastësi që vetë organizatorët e garës e kanë përzgjedhur mes kandidatëve për MVP të kësaj jave që u mbyll.

Emri i Sadikut është përzgjedhur nga La Liga 2 mes 5 atyre që janë ën garë çdo javë për futbollistin më të spikatur dhe votimet mund të bëhen në faqen e saj në internet. Deri tani, futbollisti shqiptar kalohet vetëm nga Barcenas i Real Oviedo, ndërsa ka lënë pas 3 futbollistët e tjerë.

Një arritje më vete duke llogaritur se janë emra shumë të njohur, duke filluar nga Kristian Stuani i Zhironës, sulmuesi uruguaian i cili në dy edicionet e mëparshme ka qenë pjesë e La Liga dhe rivalizonte me emra si Mesi, Suarez e Benzema për “Këpucën e Artë’, pasi shënoi 40 gola në pak më shumë se 60 ndeshje. Më të shkëputur pas tyre janë Pozo i Rajo Vajekanos dhe Gjurgjeviç i Gijonit. /vipsport.al/