Rrëfimi i Tevez: Para finales Juve-Barça e kisha mendjen vetëm të kthehesha te Boka

Karlos Tevez e ka pasur mendjen gjithmonë te një skuadër e vetme, Boka Juniors. E kishte kur luante në Angli, në Kinë apo edhe te Juventusi në Itali, ndërsa po përgatiste një nga ndeshjet më të madha të karrierës, atë finale të Ligës së Kampioneve që bardhezinjtë humbën përballë Barcelonës.

“Boka është jeta ime, kur isha në formën më të mirë dhe po përgatitesha për finalen kundër Barcelonës, mendoja vetëm si të kthehesha në “Bombonera”. Më kërkonin Atletiko Madrid dhe Bajern Mynih, por e ndjeja që duhej të kthehesha në shtëpi.

I thashë presidentit Anjeli në fillimin e atij sezoni se do të paraqitesha shumë mirë, që do të thyeja gjithçka, por se në fund të vitit do të dëshiroja të kthehesha te Boka. Ai më kuptoi. Dua të vazhdoj me Boka Juniors, qofte edhe për të mbajtur materialet e stërvitjes. Nuk dua të shkoj në asnjë vend tjetër, dua të tërhiqem nga futbolli me këtë fanellë, nuk kam asnjë lloj motivimi tjetër. Nëse më kërkon Reali, do t’i them që dua të qëndroj te Boka”, ishin fjalët e sulmuesit. /vipsport.al/