Roma kthehet në zonën Champions, fitore bindëse ndaj mbrojtjes më të mirë në Itali

Skuadra e Romës është kthyer përsëri në zonën Champions falë një suksesi të rëndësishëm 3-1 përballë Veronës, një skuadër e cila kishte mbrojtjen më të mirë në kampionat deri në ndeshjen e sotme.

Klaivert për Romën dhe Faraoni për vendasit shënuan brenda pak minutash, ndërsa në fundin e pjesës së parë, goli i 2-1 i verdhekuqve erdhi nga Peroti me penalltinë e zakonshme. Në pjesën e dytë, Roma u mundua dhe ia doli që të mbante sa më larg portës vendasit, në radhët e të cilëve luante Rrahmani, por jo Kumbulla, ende pushim për shkak dëmtimi.

Në shtesën e ndeshjes erdhi edhe goli i Mkhitarian, që vulosi suksesin 3-1 dhe ngjiti Romën në vendin e katërt në renditje, që është objektivi i skuadrës kryeqytetase në një edicion ku aktualisht duket shumë larg skuadrave që luftojnë për titull. /vipsport.al/