Rekordi i Ibraimit, rivaliteti dhe skuadra, Gjoka i thotë të gjitha pas fitores me Shkupin

Shkëndija mori një fitore bindëse në javën e 17-të duke mundur Shkupin me rezultatin 4-0, falë dopietave të Besart Ibraimit si dhe brazilianit Stenio Xhunior. Kjo paraqitje ka lënë të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka që i ka bërë elozhe skuadrës, por në mënyrë të veçantë, ai ka folur edhe për rekordin e Besart Ibraimit, që tashmë me 167 gola zyrtarisht është golashënuesi më i mirë në historinë e Ligë së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Ndeshja

“Mendoj se ishte një ndeshje e interpretuar shumë mirë, sidomos nga ana taktike. U munduam që të jemi shumë të disiplinuar taktikisht, sepse për hir të vërtetës Shkupi ka ekip cilësor. Shënuam shumë shpejt dhe pastaj menaxhuam takimin për të shkuar gjërat ashtu si donim”.

Rivaliteti

“Pjesën e dytë më shumë menaxhuam lojën dhe kjo ishte logjike duke parë rezultatin nuk kishte nevojë të harxhonim energji. Vendosëm të qarkullojmë topin më shumë dhe të mbajmë kontrollin e ndeshjes. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kampionati bëhet më i fortë dhe kundërshtari që kemi sipër akoma është shumë larg…”.

Rekordi i Ibraimit

“Besarti është një aset i klubit. Më bëhet shumë qejfi që isha unë prezent në këtë moment kaq të suksesshëm të Besartit. Kam shumë besim se do të vazhdojë akoma të shënojë gola dhe kam edhe më shumë besim që ai të rigjejë veten dhe t’u bërë një lider i skuadrës tonë”.

E.Saliu/Vipsport.al/