Rashica dhe golat për Shqipërinë: Lumturi dhe trishtim, situatë dramatike. Ndihmova edhe unë

Milot Rashica ka qenë ndër ata futbollistë shqiptarë të cilët kanë shpërndarë në të gjithë Europën valën e solidaritetit dhe mbështetjes për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor. Dy golat e tij me Verder Bremen në kampionat ishin mesazhi më i mirë i solidaritetit, në një periudhë të vështirë të cilën ai ka pranuar se edhe vetë e ka përjetuar me shumë trishtim.

“E kisha planifikuar të festoja ashtu pasi çdo ditë dëgjoja vetëm lajmet e këqija. Pas golit ishte një moment special për mua me një përzierje mes lumturisë dhe trishtimit. Situata në Shqipëri është me të vërtetë dramatike. Më shumë se 50 persona janë vdekur, shumë ndërtesa janë shembur. Shumë njerëz në Kosovë kanë hapur dyert për njerëzit nga Shqipëria. 20 vite më parë gjatë luftës, ata bënë të njëjtën gjë për ne. Tani ne mund të kthejmë diçka mbrapsht. Është mbresëlënëse ajo që po bëjnë njerëzit atje për njëri-tjetrin”, shpjegoi Rashica në një intervistë për mediat gjermane.

I pyetur nëse edhe ai kishte dhënë kontributin e tij, Rashica konfirmoi se e kishte bërë një gjë të tillë e se gjithashtu do të mblidheshin ndihma edhe nga përfaqësuesja e Kosovës. “Po, unë kam ndihmuar gjithashtu, edhe si ekip kombëtar duam të bëjmë diçka bashkë. Donacione? Nuk duam të flasim shumë për këtë, por as nuk ka diskutim që ne do të bëjmë diçka për të ndihmuar”, tha Rashica. /vipsport.al/