Para ndeshjes në transfertë, eksodi te Flamurtari vazhdon me dy titullarë

Mbrojtësi Lirim Mema dhe sulmuesi Bajram Nebihu, nuk kanë duruar më dhe i kanë thënë lamtumirë Flamurtarit dy ditë para ndeshjes me Laçin. Pak ditë para tyre është larguar edhe një tjetër titullar dhe bëhet fjalë për Semir Bajraktareviç, ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të bëj mbrojtësi Sarris, nëse do ta mbyllë pjesën e parë të sezonit në Vlorë, apo do të largohet.

Kështu, trajneri Luan Birçe tashmë e ka mjaft të vështirë, sepse alternativat janë të pakta,  jo vetëm për të ndërtuar 11-shen e parë, por edhe për stolin. Në një pikë mjaft të vështirë ku ndodhet skuadra vlonjate, duket se me largimet e ditëve të fundit, objektivi mbijetesë vështirësohet akoma më shumë.

Pa thënë se në Vlorë ende nuk e dinë se çfarë do të thotë të marrësh rrogën për këtë sezon dhe kjo duket se është arsyeja kryesore që lojtarët janë duke u larguar ende pa përfunduar mirë pjesa e parë e sezonit.

Flamurtari në këtë situatë duket se ka marrë një rrugë pa kthim drejt rënies në Kategorinë e Parë, duket e vështirë për ta besuar, por në Vlorë ata që e njohin situatën nga afër kanë filluar që mund të bëhet realitet…

E.S./Vipsport.al/