Një “durrsak” rrit adrenalinën te Luftëtari, Qato: Fitorja me Vllazninë, shans për mbijetesën

Klinti Qato, nga moshat e Teutës është bërë pjesë e skuadrës së parë në Superiore dhe më pas në verën e shkuar zgjodhi që të vishte fanellën e Luftëtarit, po në elitën e futbollit shqiptar. Durrsaku që është prekur nga “ethet” e tërmetit të rënë pak ditë më parë në qytetin e tij, më shumë e ka mendjen te sfida  e radhës në kampionat me Vllazninë.

Por, në prononcimin që ka dhënë për “Rtshsport”, nuk ngurron që ta nisë edhe me një ngushëllim për patriotët e tij: “Qyteti i Durrësit dhe Tiranës ishte i prekur nga tërmeti. I uroj ngushëllime atyre që kanë pasur humbje në jetë dhe dëme materiale. Kam shokë në Durrës”.

Lidhur me sfidën e radhës, ku gjirokastritët synojnë fitoren, Qato ka theksuar: “Hymë me synim për të fituar, pastaj në futboll ka humbje por edhe barazim. Shpresojmë që të marrim rezultatin që duam. Tani çdo pikë na duhet pasi ndeshjet janë afër njëra-tjetrës dhe ne si skuadër duam që të largohemi sa më parë nga zona e rrezikut”, – tha Qato që luan si titullarë në Gjirokastër këtë sezon.

E.S./Vipsport.al/