Në Itali e shohin pranë Napolit, Edi Reja ndjek skuadrën italiane në tribunë

Karriera e tij në pankinën e Shqipërisë filloi si “vëzhgues” në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku kuqezinjve i dha lamtumirën Panuçi për t’i bërë vend 74-vjeçarit. E ndërsa në Itali emri i Edi Rejas shfaqet përsëri rrotull skuadrës së Napolit, edhe trajneri shfaqet si “vëzhgues” në tribunë në ndeshjet e klubit italian.

Mediat përtej Adriatikut kanë bërë të ditur se Edi Reja do të jetë në tribunë që nesër për të ndjekur takimin mes Napolit dhe Udinezes, që luhet në Udine dhe nuk është shumë larg shtëpisë ku banon trajneri në Itali. Zyrtarisht ai shkon atje për të vëzhguar gjendjen e Elseid Hysajt, por nuk dihet nëse futbollisti i përfaqësues shqiptare do të luajë në këtë sfidë.

“Vëzhgimi” i Rejas ndaj Napolit vazhdon edhe të martën, këtë radhë në stadiumin “San Paolo”, ku ai do të shohë në veprim skuadrën përballë Genk në Ligën e Kampioneve. Edhe këtu, do të jetë shumë e vështirë që Hysaj të jetë në aksion, por ndërkohë Reja do të ketë një detyrë tjetër, për të cilën ka marrë ftesë nga klubi. Në atë ndeshje, ai pritet t’i dhurojë ish-kapitenit Marek Hamshik një çmim simbolik për karrierën e tij te napolitanët, pasi ai ishte trajneri i parë që e drejtoi sllovakun me këtë fanellë. /vipsport.al/