Ndreu: Duhet ndërhyrje në janar, të thellojmë diferencën me ndjekësit

Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu në një prononcim për RTSH Sport është shprehur se në disfatën e javës së kaluar ndaj Besëlidhjes ka ndikuar fakti se disa lojtarë nuk ishin në formën e tyre më të mirë, ndërsa ka theksuar se ekipi ka nevojë për ndërhyrje në merkaton e janarit.

Disfata me Besëlidhjen? “Kam deklaruar edhe më parë se nuk ishim në ditët më të mirë. Edhe disa lojtarë nuk ishin në formën e tyre më të mirë. Vazhdojmë përpara, jemi tre pikë avantazh me Besëlidhjen dhe duhet ta thellojmë. Në janar duhet të ndërhyjmë, pasi të jem i sinqertë nuk kemi pasur një skuadër të kompletuar”.

Veleçiku? “Shpresoj që këtë javë të japim më të mirën dhe ta vlerësojmë shumë mirë. Shpresojmë ta fitojmë. Mungesat? Kemi tre mungesa, por do të them që kemi lojtarët që t’i zëvendësojmë. Edhe ata të tregojnë veten që vlejnë dhe është një shans i mirë për zëvendësuesit”, tha Ndreu.