Ndodh edhe kështu, trajneri i shumëkërkuar i Lajpcigut bën për spital asistentin

Julian Nagelsman është një nga emrat më interesantë që ofron aktualisht trajningu botëror. Gjermani 32-vjeçar mahniti në drejtimin e Hofenhajm e tani edhe në atë të Lajpcig, duke u bërë një nga emrat më të kërkuar e monitoruar nga klubet e mëdhenj në kontinent.

Por kushdo që të firmosë në të ardhmen me trajnerin e apasionuar pas teknologjisë, duhet të mendohet mirë edhe për hobin e tij që të zbresë vetë në fushë në stërvitje bashkë me asistentët dhe të shpjegojë taktikat në lojërat që zhvillon para skuadrës. Kjo, për faktin e thjeshtë se Nagelsman së fundmi ka bërë për spital asistentin e tij, duke shpjeguar një nga këto ushtrime.

“Po luanim dy kundër dy dhe ai bllokoi një goditjen time të fortë me qafën dhe kokën, në vend që ta bënte me këmbë’, u justifikua sot Nagelsman para gazetarëve duke treguar incidentin që kishte ndodhur me video-analistin e skuadrës, Benxhamin Glyk. Trajneri më pas e kishte dërguar vetë me makinë kolegun e tij në spital ku i ishte diagnostikuar një dëmtim nervor. Sigurisht, ai ishte lënë pushim në këtë javë, mes ndjesës të Nagelsman për këtë dëmtim të çuditshëm që vjen si pasojë e hobit të teknikut. /vipsport.al/