Mundi Memushajn, trajneri Odo: Prezenca e presidentit në stol është stimul, por mua nuk më intereson

Peskara nuk arriti t’ia dilte ditën e djeshme në transfertë kundër Peruxhias duke u mundur me rezultatin 3-1. Ishte pikërisht ish-trajneri Odo i cili e ndërtoi Peskarën për t’u ngjitur në Serinë A, ai i cili mund skuadrën me të cilën aktivizohen edhe Memushaj dhe Kastrati.

Në stol te Peruxhia, ishte ulur edhe presidenti i klubit dhe vetë trajneri Odo, u shpreh se nuk e kishte vënë re diçka të tillë. Ai shtoi më pas, se prania e presidentit mund të jetë një stimul për futbollistët teksa në aspektin personal shtoi se nuk ka asnjë efekt te ai personalisht.

“Nuk e vura re presidentin direkt por për futbollistët mund të jetë një stimul ndërsa mua nuk më intereson, jam indiferent. Te Peskara kam kaluar momentet më të bukura të karrierës time dhe si trajner, ashtu edhe si futbollist. Unë nuk kam probleme me askënd. Mund të dilja në konferencë për shtyp por vendosëm të heshtim, më mirë të flasë fusha”, tha trajneri Odo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/