Mundësia për ta transferuar me kosto të ulët në janar, Juventus i bën ofertë konkrete Haland

Erling Haland është një nga sensacionet e këtij sezoni. 19-vjeçari i cili aktivizohet me Salzburgun në Austri, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane si Juventus, Real Madrid, Mançester Junajtid, Dortmund. Sulmuesi është një makineri golash dhe kjo jo vetëm në kampionat me Salzburgun, por edhe në Ligën e Kampionëve.

Salzburg nuk pranon ta shesë për një shifër inferiore nën 80 milionë euro, megjithatë së fundmi është zbuluar se norvegjezi ka një klauzolë e cila vlen vetëm për muajin janar dhe që ia ul vlerën lojtarit në 17 milionë euro. Kështu, klubet kanë nisur një luftë për të siguruar shërbimet e Haland. Ndërkohë, mediat italiane zbulojnë se është Juventusi klubi i parë që i ka bërë një ofertë konkrete sulmuesit.

Bardhezinjtë i kanë ofruar 19-vjeçarit një kontratë nga e cila mund të përfitojë tre milionë euro në sezon. Megjithatë, Haland ende nuk është i vendosur për të ardhmen, ndërsa edhe klubet e tjera nuk kanë thënë fjalën e fundit e do të provojnë deri në fund të sigurojnë shërbimet e talentit. /Egi Çabeli-VipSport.al/