Moxhi zbulon kthimin e Ibrahimoviç në Itali: Ai do një klub, gruaja e tij një tjetër

Luçiano Moxhi ishte ai që solli Zlatan Ibrahimoviç në futbollin italian në periudhën kur drejtonte Juventusit dhe e njeh shumë mirë suedezin, asokohe ende në fillimet e një karriere shumë të lavdishme. Ish-drejtuesi i Juventusit, në një intervistë dhënë për “Radio Bianconera”, ka zbuluar se sulmuesi është shumë pranë kthimit në Itali, por është ende i pavendosur se ku do të firmosë, pasi ka dy opsione.

“Unë mendoj se do të shkojë ose te Milani, ose të Bolonja, por janë dy gjëra që bien në kontrast me njëra-tjetrën. Gruaja e tij do të dëshironte të shkonte në Milano, ndërsa ai do të dëshironte të vlerësonte miqësinë që ka me Mihajloviç dhe do të shkonte te Bolonja”, zbuloi Moxhi situatën e suedezit.

Ai nuk ngurroi të komentonte dhe situatën te Napoli dhe zërave për Alegrin si trajnerin e ardhshëm. “Nuk e besoj, mendoj se mund të konfirmohet Ançeloti i cili bën gjithçka që i thotë presidenti dhe pastaj vuan pasojat, siç po ndodh tani”, deklaroi Moxhi. /vipsport.al/