Mendja te Champions, Ajaks mundet në shtëpi pas dy vitesh

Merr fund ecuria pa humbje e Ajaksit në këtë edicion në kampionatin holandez. Skuadra e Erik ten Hag ka pësuar humbjen e parë të saj në këtë edicion në javën e 16, pasi është mundur nga Vilem II me shifrat 2-0 brenda në Amsterdam.

Një rezultat i papritur, por që ishte ndoshta pasojë e faktit që holandezët po mendonin për ndeshjen e mesjavës ku luajnë kundër Valencias për një vend në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Golat e Ndajishimie dhe Denkerful i dhanë suksesin ekipit mik, që ngjitet në vendin e tretë në renditje, ndërsa u jep pak shpresë rivalëve të tjerë të Ajaksit se mund të rihapet një kampionat i cili dukej i mbyllur pa kaluar gjysma e tij.

Skuadra e ten Hag nuk mundej në kampionat prej thuajse 9 muajsh, ndërsa disfata e fundit që kishin pësuar në shtëpi në Eredivisie, ishte në nëntorin 2017. /vipsport.al/